Dita e Tokës 2020: Kryetarët e komunave me mesazh vetëdijësues

22 Prilli 2020 shënon 50 vjetorin e Ditës së Tokës, festimin vjetor të lëvizjes mjedisore. Ky 50 vjetor shënon plot një gjysmë shekulli mobilizimi në mbarë botën për t'i dhënë zë shqetësimeve mjedisore dhe vetëdijësimit ekologjik botëror. Kjo ditë bën thirrje ndaj problemeve dhe sfidave që lidhen me degradimin e tokës si rezultat i keqpërdorimit dhe eksploatimit të resurseve të saj, ndotjes së ajrit dhe ujit, shpyllëzimeve masive dhe zhdukjes së specieve.

Në Ditën e Tokës, 22 Prill 2020, kemi dy kriza: Një është koronavirusi pandemik COVID-19. Tjetra është një katastrofë që kanosë klimën tonë. Ne mundemi, duhet dhe do t'i zgjidhim të dy sfidat. Bota nuk ishte e përgatitur për koronavirusin e ri. Por ne ende kemi kohë për t'u përgatitur - në çdo pjesë të botës - për krizën e klimës.

Në kuadër të kësaj dite, Balkan Green Foundation, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në bashkëpunim me kryetarët e gjashtë komunave të Kosovës kanë organizuar kampanjën ‘Toka është e jona, ta ruajmë së bashku’, e cila synon sensibilizimin e qytetarëve të Kosovës për të ruajtur atë që kemi të përbashkët - tokën.

Kryetari i Komunës së Prishtinës - zt. Shpend Ahmeti, Kryetari i Komunës së Prizrenit - zt. Mytaher Haskuka, Kryetari i Komunës së Malishevës - zt. Ragip Begaj, Kryeari i Komunës së Obiliqit - zt. Xhafer Gashi, Kryetari i Komunës së Gjilanit - zt. Lutfi Haziri dhe Kryetari i Komunës së Ferizajt - zt. Agim Aliu dhanë kontributin e tyre për sensibilizimin e opinionit të gjerë për ruajtjen e natyrës duke iu bërë thirrje qytetarëve për rritjen e përgjegjësive individuale për të lëvizur nga ndërgjegjësimi drejt mobilizimit për një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Koronavirusi pandemik nuk na mbyll. Përkundrazi, na kujton atë që është në rrezik në luftën tonë për planetin. Nëse nuk kërkojmë ndryshim për të transformuar planetin tonë dhe për të ndryshuar krizën tonë klimatike, gjendja jonë e tanishme do të bëhet normale e re - një botë ku pandemitë dhe ngjarjet ekstreme të motit përfshijnë globin, duke lënë komunitete tashmë të margjinalizuara dhe të cenueshme edhe më shumë në rrezik.

Edhe pse këtë vit jemi duke u përballur me një ndër krizat më të mëdha shëndetësore, rëndësi dhe vëmendje duhet t'i kushtojmë edhe krizës mjedisore të planetit. Ngase lidhja që ne kemi me natyrën, bimët dhe tokën është thelbësore për shëndetin tonë dhe gjithçka që ne jemi.

Related articles