Vendi i Lindjes së Diellit: Drejt Revolucionit Energjetik në Kosovë

10 October 2024

“Është një vend në Evropë. Vendi ku dielli ndriçon plotë 278 ditë të vitit…” Kështu do ta fillonin këngën e tyre rock grupi ‘The Animals’ nëse kënga e famshme ‘House of the Rising Sun’ do të shkruhej për Kosovën në vend se për New Orleans.

Me 278 ditë me diell, Kosova është vend ideal për të shfrytëzuar diellin për prodhim të energjisë. Por, energjia diellore aktualisht së bashku me atë të erës dhe hidrocentraleve përbën vetëm 23.3% të energjisë që prodhohet në Kosovë, ndërsa 77.7% vije nga termocentralet me bazë nga thëngjilli. Megjithatë, numri kaq i lartë i përdorimit të energjisë së prodhuar nga djegia e thëngjillit planifikohet të bie gradualisht bazuar në synimet e Strategjisë së Energjisë dhe veprimeve të ndërmarrura si pjesë e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor që Kosova e ka nënshkruar në nëntor 2020 në Samitin e Sofjes.

Kosova vazhdon të varet ende shumë nga termocentralet e vjetra dhe ndotëse me thëngjill. Sipas Strategjisë së Energjisë së Kosovës, deri në vitin 2031 pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme në Kosovë do të arrijë në 35% nga 6.3% sa ishte në vitin 2021. Në këtë mënyrë kapacitetet e ripërtëritshme në sektorin e energjisë elektrike pritet të rriten nga pika aktuale prej 279 megavat në 490 megavat deri në fund të vitit 2025, ndërsa në vitin 2031 synohet të arrihet kapaciteti prej 1.600 megavat. Të dhënat e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) rreth numrit të autorizimeve për gjeneratorë për vet-konsum tregojnë se në shtatë vitet e fundit janë lëshuar vetëm 308 licenca për biznese dhe individ, prej tyre 66 licenca janë lëshuar në vitin 2023, 117 në vitin 2022, 50 në vitin 2021, 33 në vitin 2020, e kështu me radhë. Për më tepër, Agjenda e Gjelbër përfshinë një gamë të gjerë nismash që synojnë reduktimin e emetimeve të gazrave serrë dhe ndotjes, mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit, etj. Të gjitha këto do të jenë veprime që do të ndikojnë në zbutjen e ndikimit në mjedis.

Energjia diellore funksionon përmes paneleve që përbëhen nga qeliza voltaike, të cilat shndërrojnë rrezet e diellit drejtpërdrejt në energji elektrike. Instalimi i këtyre paneleve ofron shumë përfitime: është e qëndrueshme dhe e ripërtëritshme, pasi dielli është një burim i pashterueshëm energjie. Gjithashtu, nuk shkakton ndotje ajri dhe ka ndikim minimal në mjedis.

Ekzistojnë dallime të mëdha sa i përket ndikimit në mjedis për një kilovat të prodhuar nga termocentralet e qymyrit dhe paneleve diellore. Sipas Dardan Abazit, hulumtues në INDEP, “vetëm për prodhimin e një kilovati nga djegia e thëngjillit me termocentralet aktuale në vend, lirohen rreth 900 gram dioksid karboni mesatarisht, ndërsa për të fituar një kilovat nga energjia diellore lirohen vetëm 20 gram dioksid karboni.” Në Kosovë viteve të fundit termocentralet tradicionale arrijnë të prodhojnë mbi 900 mijë megavatë orë që i bie se lirojnë më shumë se 800 mijë tonë dioksid karboni.

Për të zbatuar Strategjinë e Energjisë, Ministria e Ekonomisë ka ndërmarrë iniciativën për subvencion të familjeve, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për instalimin e sistemeve diellore për vetë-konsum. Përmes subvencionimit, kjo Ministri po mbështetë nismat familjare dhe ato të ndërmarrjeve për instalimin e sistemeve diellore për shkak të efiçiencës në energji dhe ruajtjes së ambientit.

Përmes kësaj iniciative, Ministria e Ekonomisë thotë se “ka për qëllim nxitjen e kursimit të energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë, ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme, mbështetjen e familjeve përmes rritjes së Efiçiencës së Energjisë në njësitë e banimit dhe të ndërtesave si dhe investimeve në pajisje elektro-shtëpiake efiçiente”. Po ashtu, sipas Ministrisë së Ekonomisë, mbështetja e investimeve në sistemin e energjisë së ripërtëritshme për vetë-konsum ndikon në zbutjen e ngrohjes globale, nuk shkakton ndotje dhe emetim të gazrave serrë.

Tashmë në Kosovë, termocentralet fotovoltaike diellore veçse kanë filluar të zënë vend në disa prej pjesëve të Korporates Energjetike të Kosovës (KEK). Në ish-deponitë e hirit afër termocentralit “Kosova A”, që nga viti 2023 ka filluar instalimi i termocentralit fotovoltaik diellor me kapacitet deri në 100 megavat. Ky impiant pritet të prodhojë afër 150 gigavat orë energji elektrike që pritet të reduktojë përafërsisht 150 tonë dioksid karboni në vit. Ky projekt nga Komiteti Drejtues i Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor do të dhjetëfishojë kapacitet e instaluara të sistemit diellor në Kosovë nga 0.2% sa ishte në 2.3%.

Një prej projekteve më të mëdha në fushën e energjisë në Kosovë është ai i “Solar 4Kosovo” i cili do të përdorët vetëm për ngrohje. Ky projekt do të instalojë një prej impianteve më të mëdha diellore në Evropë dhe i pari në rajon për nga kapaciteti, i cili do të shfrytëzojë energjinë diellore për përfitimin e energjisë ngrohëse. Panelet solare do të jenë kapacitet shtesë termik prej 50 megavat për të furnizuar me ngrohje edhe 12 mijë konsumatorë të rinj të “Termokosit”. Ky projekt përveçse do të ngrohë konsumatorë e rinj, do të ndikojë edhe në uljen e ndotjes së mjedisit në Prishtinë, pasi që do të evitojë alternativat tjera ngrohëse që ndotin mjedisin.

Sipas Dardan Abazit, hulumtues në INDEP, “me futjen më të madhe të kapaciteteve gjeneruese nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, gradualisht do të duhet të mbyllen njësitë e termocentraleve, fillimisht njësitë e Kosovës A, më pas edhe njësitë e Kosovës B.”

Kosova ka një pozitë tejet të favorshme në shfrytëzimin e energjisë diellore, por përkundër kësaj deri më tani ky burim po shfrytëzohet minimalisht.

Sipas Zeqir Veselaj, ligjëruesi i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës, “studime të shumta në dy dekadat e fundit kanë treguar potencialin e Kosovës për shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, e sidomos për energjinë e diellit dhe erës. Nuk është investuar mjaftueshëm për të shfrytëzuar këtë potencial nga energjia diellore. Studimet tregojnë se numri i ditëve me diell të plotë në Kosovë brenda vitit dhe kapaciteti prodhues solar është shumë premtues në dekarbonizimin e sektorit të energjisë”.

Termocentralet ekzistuese në Kosovë tashmë kanë kaluar jetëgjatësinë e tyre dhe si të tilla, në periudha të ndjeshme kohore siç është stina e dimrit e së fundi edhe në ditët e ngrohta të verës kur rritet përdorimi i energjisë elektrike, qytetarët e Kosovës dhe bizneset rrezikojnë të mos furnizohen 24 orë me energji elektrike. Krejt kjo si pasojë e mungesës së energjisë elektrike të prodhuar në vend e cila vije nga konsumi i lartë apo edhe prishjeve të shpeshta në këto termocentrale, sidomos gjatë stinës së dimrit. Përveç këtyre, ato vazhdojnë të jenë mjaftë të kushtueshme për konsumatorët e saj dhe në veçanti ato janë burimi kryesor i dëmtimit të mjedisit në Kosovë, që kanë një kosto tejet të lartë edhe në shëndetin e njeriut. Sipas një hulumtimi të publikuar dy vite më parë nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, rezulton se 52 persona në Kosovë humbin jetën para kohe për shkak të ekspozimit ndaj ndotësve të ajrit të cilës i kontribuon në masë të madhe edhe thëngjilli.

Për këtë arsye përdorimi i energjisë nga burimeve të ripërtëritshme është jetik për Kosovën, si në aspektin e kërkesës për energji, ashtu edhe për aspektin financiar si dhe atë të shëndetit të njeriut dhe natyrës.

Përdorimi i energjisë diellore sjell kursime afatgjata për konsumatorët. Edhe pse instalimi fillestar mund të ketë kosto, ai është afatgjatë deri në 25 vite. Sipas hulumtimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme (IRENA) kostot e energjisë diellore kanë rënë për 82% në 10 vitet e fundit. Ndërsa vetëm për vitin 2018 dhe 2019 u shënua rënie për 13.1%. Përdorimi i energjive të ripërtritshme rezulton ndjeshëm edhe me uljen e faturave të energjisë për periudha afatgjate.

Në një përgjigje nga kompania “Kit Solar Systems” e cila është njëra prej kompanive që bën instalimin e paneleve solare, thonë se gradualisht është duke u rritur numri i familjeve që përdorin energjinë diellore. Nga kjo kompani veçojnë ndikimin në aspektin e mjedisit dhe atë të kursimit të energjisë me përdorimin e energjisë diellore: “Përfitimet nga përdorimi i energjisë diellore përveç aspektit mjedisor, është kursimi i energjisë dhe investim në panel soalar është afatgjate mbi 25 vite. Kosto e instalimit për një familje që konsumin mesatar vjetor e ka mbi 10.000 kilovat është rreth 5 mijë euro me kapaciteti i instalimit 7 kilovat pikut (kWp — njësia matëse për energjinë e fituar nga energjia diellore)”.

Megjithatë, janë disa sfida me të cilat është duke u përballur vendi në investimet dhe rritjen e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme. Në një publikim të Balkan Green Fondation (BGF) mbi sfidat e prodhimit të energjisë diellore në Kosovë përmendet mungesa e thjeshtëzimit dhe harmonizimit të procedurave të lejeve, mungesa e përditësimit të planeve ekzistuese zhvillimore, mungesa e një udhërrëfyesi për zonat e investimeve solare, barra e lejes ndërtimore si dhe sfida të tjera. Megjithatë këto sfida gradualisht janë duke u evituar. Vitin e kaluar Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës mori vendim se qytetarët nuk do të kenë më nevojë të pajisjen me leje ndërtimore për vendosjen e paneleve diellore për konsum familjar deri në shtatë kilovat. Përveç lehtësimit të procedurave, me instalimin e paneleve diellore qytetarët e Kosovës mund të përfitojnë edhe nga subvencioni i Ministrisë së Ekonomisë.

Përkundër sfidave të shumta që ka hasur Kosova në rrugën drejt një revolucioni energjetik, perspektiva është e ndritur. Me një pozicion të favorshëm gjeografik dhe ditët e shumta me diell, Kosova ka potencialin të bëhet një lider në shfrytëzimin e energjisë së ripërtëritshme në rajon. Masat e marra së fundmi për të lehtësuar procedurat dhe për të inkurajuar investimet në energjinë diellore janë fillimi i një transformimi që do të sjellë përfitime të mëdha ekonomike, mjedisore dhe shëndetësore për qytetarët.

Andaj, le të shikojmë me optimizëm të ardhmen, duke e parë diellin jo vetëm si burim drite, por edhe si çelësin për një të ardhme më të gjelbër dhe më të qëndrueshme për Kosovën.

Autor: Agron Canolli