SolarCollab: Një tranzicion i energjisë i udhëhequr nga të rinjtë

31 July 2023

Balkan Green Foundation ka kënaqësinë të prezantoj projektin e fundit, "SolarCollab". Kjo iniciativë është përzgjedhur si një nga pesë përfituesit e granteve nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), duke marrë një grant prej 25,000 EUR për një kohëzgjatje prej një (1) vjeçare. SolarCollab hap rrugën një tranzicioni të drejtë energjetik në nivel komunal në Kosovë duke përkrahur demokratizimin e energjisë dhe duke frymëzuar pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të të rinjve në ekonominë e gjelbër.

Promovimi i një tranzicioni të drejtë të energjisë përmes demokratizimit të energjisë

Objektivi kryesor i SolarCollab është të nxisë një tranzicion të drejtë energjetik në Kosovë, dhe kjo do të arrihet duke avokuar për reduktimin e barrierave për sistemet e energjisë së rinovueshme, investimet në  efiçiencë energjetike dhe prosumerizëm. Duke thyer pengesat dhe duke inkurajuar pjesëmarrje më të gjerë, projekti synon ta bëjë energjinë e ripërtëritshme më të aksesueshme për popullin e Kosovës, duke promovuar një të ardhme më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.

Fuqizimi i të rinjve përmes transferimit të njohurive

Një nga fokuset kryesore të SolarCollab është fuqizimi i të rinjve duke i angazhuar ata në ekonominë e gjelbër. Projekti synon ta arrijë këtë duke ofruar trajnime të specializuara dhe transferim njohurish tek të rinjtë. Kjo përfshin kryerjen e një hulumtimi mbi pengesat për energjinë e rinovueshme dhe investimet me efikasitet të energjisë. Pasi studimi të përfundojë, ai do të publikohet së bashku me infografikë informues. Gjetjet e studimit më pas do t'u prezantohen palëve kyçe të interesit, duke përfshirë qeverinë komunale dhe Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e energjisë së rinovueshme dhe efikasitetit të energjisë.

Të mësuarit nga bashkëmoshatarët për zhvillim të qëndrueshëm

Programi i SolarCollab-it për të mësuar nga kolegët luan një rol vendimtar në formësimin e së ardhmes së energjisë së gjelbër në Kosovë. Në fazën e parë, rreth 20 studentë nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike do t'i nënshtrohen trajnimeve të zhvilluara nga ekspertë të energjisë së rinovueshme nga sektori privat, duke u fokusuar veçanërisht në instalimin e paneleve diellore. Ky trajnim synon të mbushë hendekun midis sektorit privat dhe tregut të punës, duke siguruar transferimin e aftësive të vlefshme. Në fazën e dytë, dy nga studentët e trajnuar të universitetit do të veprojnë si mentorë, duke ndarë njohuritë e tyre të fituara me 45 nxënës nga shkolla të ndryshme të mesme. Kjo qasje siguron një efekt kaskadues të transferimit të njohurive dhe pajis të rinjtë me informacion thelbësor në lidhje me mundësitë e tregut të gjelbër të punës, sfidat specifike të vendit dhe procedurat e instalimit dhe mirëmbajtjes.

Inkurajimi i Investimeve të Gjelbërta

Si pjesë e qasjes së tij holistike, SolarCollab planifikon të frymëzojë investime të gjelbra përmes përpjekjeve të kombinuara të punëtorëve të kompanisë dhe studentëve të fakultetit. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shohin instalimin e paneleve diellore gjatë seminareve, duke inkurajuar angazhimin e tyre aktiv dhe duke promovuar një kuptim më të madh të përfitimeve të energjisë së rinovueshme.

Me fokusin e saj në demokratizimin e energjisë, fuqizimin e të rinjve dhe nxitjen e partneriteteve strategjike, kjo nismë e udhëhequr nga të rinjtë premton të luajë një rol të rëndësishëm në përshpejtimin e tranzicionit drejt energjisë së rinovueshme dhe një të ardhmeje të qëndrueshme për brezat që do të vijnë.