22 May 2025
Helmi i Prishtinës që po na bën të vuajmë për çdo frymëmarrje
Një mëngjes dimri në Prishtinë shpesh nis nën një qiell të rëndë dhe gri, ku ajri ndihet i rëndë dhe çdo frymëmarrje të kujton rreziqet e padukshme që e rrethojnë qytetin. Ajri është dukshëm i ndotur, qielli i zymtë, dhe lëvizja në qytet është minimale. Është një realitet i frikshëm që sjell ndërmend njërën nga katastrofat më të mëdha historike, ku materiet e rrezikshme të ajrit morën mijëra jetë dhe e shndërruan Çernobilin në një shkretëtirë vdekjeprurëse.
Por s’është Çernobili, është Prishtina. Një kryeqytet në qendër të Ballkanit, ku ndonëse jo në shifra të tilla vdekjeprurëse, ky kryeqytet është shndërruar në qytet të pashëndetshëm dhe të rrezikshëm për shëndetin.
Indeksi Botëror i Cilësisë së Ajrit (IQAir), i cili vlerëson cilësinë e ajrit në mbarë botën, e rendit shpesh Prishtinën ndër qytetet më të ndotura gjatë sezonit të dimrit, ndonjëherë duke ia kaluar edhe Delhit në Indi dhe Dakas në Bangladesh.
Vetëm gjatë muajit janar, 53% e kohës ajri u klasifikua si i dëmshëm nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, që do të thotë se qytetarët kanë frymuar më shumë ajër të keq sesa është e pranueshme.
Në ndërkohë, të dhënat nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për vitin 2024 zbulojnë pasojat e rënda shëndetësore të ndotjes së ajrit në kryeqytet. Afër dy mijë raste të hospitalizimit janë pranuar për shkak të infeksioneve respiratore vetëm vitin e kaluar. Ndërkohë, nga IKShP-ja tregojnë se të dhënat “gjatë 2024, Infeksionet e Rrugëve të Poshtime të Frymëmarrjes (ARI) janë me 990.17 raste për 100,000 banorë dhe krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak vërehet një ngritje prej 4.1%”.
Në raportin e fundit të Bankës Botërore, Kosova prin në Ballkanin Perëndimor nga emetimi i metanit. Sipas këtij hulumtimi Kosova ka nivelin më të lartë të emetimeve për kokë banor, duke lënë prapa Serbinë dhe vendet e tjera. Nga kjo ndotje krijohet ozon i dëmshëm i cili përkeqëson cilësinë e ajrit dhe rritë rrezikun e një sërë sëmundjeve.
Pasojat e ajrit të dëmshëm në shëndetin e njeriut
Ajri i ndotur paraqet një kërcënim serioz për shëndetin e njeriut, duke ndikuar negativisht në funksionimin e gjithë sistemit dhe organeve të trupit. Sipas IKSHPK-së, grupet më të rrezikuara janë fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Ndotja e ajrit në kryeqytet, rrit rrezikun e një sërë sëmundjesh, përfshirë problemet me shikimin, sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, frymëmarrjen e rënduar dhe kollën, dëmtimin e funksioneve pulmonare, krizën e astmës, alergjitë dhe madje edhe sëmundjet kancerogjene.
Si pasojë e ajrit të dëmshëm nga studimet e MCC-IKSHPK mbi vlerësimin e ndikimit të shëndetit tregojnë se në Kosovë në vitin 2019, për shkak të tejkalimit të vlerës kufitare të UCA të OBSH-së, 1 mijë e 127 persona kanë humbur jetën për shkak të vdekshmërisë së parakohshme për të gjitha grupmoshat. Ndërsa, sipas një raporti të Bankës Botërore të vitit të kaluar, zbulon se lidhja mes ndotjes së ajrit dhe vdekjeve të parakohshme arrin shifrat e 760 vdekje të parakohshme në vit.
Tek fëmijët, sipas IKShPK-së ajri i ndotur mund të ndikojë në zhvillimin e trurit, duke çuar në probleme psikologjike dhe çrregullime të sjelljes në fëmijërinë e vonshme. Studimet kanë treguar se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit mund të lidhet me simptoma të çrregullimit të mungesës së vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), si dhe me ankthin dhe depresionin.
Ndërkohë, sipas raportit të vitit të kaluar të UNICEF-it mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike tek fëmijët, një nga ndotësit më të rrezikshëm në ajër janë grimcat e imëta PM2.5, të cilat kanë aftësinë të depërtojnë thellë në mushkëritë e fëmijëve dhe të hyjnë në qarkullimin e gjakut. Po ashtu, raporti përmend edhe grimcat PM10, të cilat në Kosovë tejkalojnë nivelet e rekomanduara dhe i ekspozojnë fëmijët ndaj rreziqeve të shumta shëndetësore. Duke qenë se organizmi i fëmijëve është ende në zhvillim dhe tepër i ndjeshëm, ajri i ndotur mund të ketë efekte afatgjata dhe të dëmshme për ta.
Edhe të moshuarit janë veçanërisht të rrezikuar. Sipas IKShPK-së, ata kanë një sistem imunitar më të dobësuar, gjë që i bën më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit. Madje, një studim i Universitetit të Çikagos tregon se vdekjet e parakohshme të shkaktuara nga ndotja e ajrit kanë tejkaluar edhe ato që lidhen me duhanin, duke e bërë ajrin e ndotur një nga faktorët kryesorë të rrezikut për jetën dhe shëndetin.
Nga Vjen Ndotja e Ajrit në Prishtinë?
Termocentralet energjetike të vendit “Kosova A” dhe “Kosova B”, është arsyeja kryesore përse niveli i ajrit pashëndetshëm është kaq i lartë në Kosovë dhe veçanërisht në Prishtinë. Këto dy termocentrale djegin thëngjill çdo ditë për të prodhuar energji elektrike, në veçanti kërkesa për energji rritet gjatë dimrit, kur konsumi është më i lartë.
Këto dy termocentrale përdorin thëngjill me cilësi të ulët me përmbajte të lartë të squfurit dhe hirit. Djegia e thëngjillit lëshon oksidet e squfurit, oksidet e azotit, monoksid karboni si dhe grimcat PM2.5 dhe PM10 të cilat janë jashtëzakonisht të dëmshme për shëndet.
Vetëm për prodhimin e një kilovati nga djegia e thëngjillit me termocentralet aktuale në vend, lirohen rreth 900 gram dioksid karboni mesatarisht. Në vitet e fundit, termocentralet tradicionale mesatarisht kanë prodhuar mbi 900 mijë megavatë orë që i bie se lirojnë më shumë se 800 mijë tonë dioksid karboni.
Dy termocentralet e ndërtuara 65 vite, respektivisht 45 vite më parë përballën me vështirësi në operim, veçanërisht në sektorin e filtrave. Që nga viti 2019 është iniciuar projekti për vendosjen e elektrofiltrave të rinj në “Kosova B”, mirëpo ky projekt në vlerë 76 milionë euro po vazhdon të zvarritet.
Strategjia e Energjisë e Kosovës parasheh zgjerimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe shuarjen graduale të termocentraleve të vjetra. Objektivat janë në përputhje me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, që Kosova e ka nënshkruar. Sipas Strategjisë së Energjisë së Kosovës, deri në vitin 2031 pjesëmarrja e burimeve të ripërtërishme në Kosovë do të arrijë në 35% nga 6.3% sa ishte në vitin 2021.
Në anën tjetër, ndotësi i dytë më i madh i ajrit në Kosovë, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, janë mjetet e transportit. Në vend, transporti me lëndë djegëse mbizotëron dukshëm në krahasim me alternativat e tjera të qëndrueshme.
Një raport i Ministrisë së Punëve të Brendshme tregon se Kosova ka rreth 385,000 automjete me djegie të naftës dhe benzinës, ndërkohë që automjetet hibride dhe elektrike përbëjnë një përqindje të papërfillshme. Transporti publik gjithashtu bazohet kryesisht në karburante fosile, duke kontribuar më tej në ndotje.
Kosova mund të ndjekë shembujt e vendeve të rajonit duke aplikuar lehtësime tatimore për automjetet elektrike, uljen e doganave ose heqjen e disa taksave të regjistrimit. Megjithatë, legjislacioni aktual e bën të vështirë për qytetarët investimin në automjete më të reja dhe më të pastra për shkak të taksave të larta të importit.
Një faktor tjetër kryesor i ndotjes në dimër është ngrohja individuale. Shumica e familjeve në Kosovë përdorin dru, qymyr dhe karburante të tjera për ngrohje. Edhe shkollat kontribuojnë në ndotje, ku 90% e tyre përdorin sistemet e ngrohjes me qymyr dhe dru.
Çfarë Mund të Bëhet për të Përmirësuar Cilësinë e Ajrit?
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2019 u mblodhën 287 milionë euro nga taksat mjedisore, nga të cilat vetëm 23.7 milionë (8%) u ndanë për mbrojtjen e mjedisit. Kjo tregon për mundësi të mëdha për investime të shtuara në mjedis dhe shëndet publik.
Përmirësimi i cilësisë së ajrit në Prishtinë kërkon veprim të koordinuar ndërmjet qeverisë lokale dhe asaj qendrore, thotë Dardan Abazi nga INDEP. Një nga mënyrat më efektive për të reduktuar ndotjen është investimi në energji të ripërtëritshme dhe ulja e emetimeve.
“Ka nevojë për politika të dy qeverisjeve, që duhet të fillohet përmes efiçiencës në energji së pari në prodhim. Shembull tek Termocentrali ‘Kosova B’ janë filtrat që ende nuk janë përfunduar që kish me reduktuar jashtëzakonisht shumë ndotjen e ajrit, por edhe rivitalizimi që parashihen nga ana e Qeverisë dhe Strategjisë që me u realizu në dinamikën e vet dhe aty me qenë prioritet reduktimi i ndotësve të ajrit” thotë Abazi.
“Qeveria duhet me i shty investimet kapitale në komuna që gjithmonë me qenë ndoshta një kuot e caktuar që shkon në përmirësimin e ajrit. Pastaj niveli qendror duhet të përshpejtoj procesin e ngrohtoreve qendrore nëpër zonat urbane në mënyrë që të reduktohet nevoja që familjet të krijojnë zgjidhje të tyre, jo çdo herë janë zgjidhje në pajtueshmëri me mjedisin, gjitha këto duhet të bëhen me në një dinamikë shumë më të madhe” shton ai.
Komuna e Prishtinës thotë se ndotja në dimër është rezultat i pozitës gjeografike të qytetit, që krijon një efekt ‘lugine’ që pengon shpërndarjen e grimcave të pluhurit dhe gazrave në atmosferë. Zyrtarët komunalë thonë se janë duke punuar për zgjerimin e rrjeteve të kogjenerimit dhe përmirësimin e politikave të transportit për të reduktuar ndotjen nga automjetet.
Ndërkohë, për më shumë se një muaj, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk ka kthyer përgjigje për pyetjet në lidhje me masat që janë duke marrë për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Me përfundimin e dimrit, sistemet e ngrohjes ndalen dhe Prishtina nuk renditet më ndër qytetet më të ndotura në botë. Por dimri do të kthehet, dhe nëse nuk ndërmerren masa serioze, Prishtina do të rikthehet si një ndër kampionet e ndotjes së ajrit.
Autor: Agron Canolli